Poezia e Bilall Maliqit nga Presheva "ambasadorja" e shpirtit shqiptar në botë
Libri "Rrugët e shikimit" i poetit Bilall Maliqi nga Lugina e Preshevës më dehu që në leximin e parë. Në këtë botë të madhe librore të të gjithë moshave të të gjithë krahinave të të gjithë llojeve letrare ku padyshim shumë herë librat janë më të shumtë se lexuesit e tyre, rrallë ndodh që librat të shikohen e të rilexohen në një hark kohor të shkurtër.
Shkruan: Namik Selmani;
E lexova librin edhe për atë Kontratë disavjeçare që kam bërë me veten që të lexoj sa më shumë, ndoshta të gjithë librat që shkruhen nga autorë të kësaj Lugine të çfarëdo gjinie letrare të jenë. Një Kontratë që më obligon edhe shqiptarisht për t’i lexuar me shumë dëshirë, por edhe si profesionist i letrave për të parë atë rrugë që ndjek letërsia në këtë trevë. Aq më tepër të një autor që tashmë është shumë i njohur në këtë trevë e më gjerë.
Ndoshta duhet thënë që në fillim se lexuesi i trevave të tjera shqiptare i shkollave të mesme pa le të larta, të paktën në shkollat shqiptare nuk i lexojnë dhe nuk njohin në mënyrë shumë më të qartë zhvillimet letrare që bëhen atje aq më pak që të lexojnë libra të plota të autorëve të kësaj krahine. Në këtë “mëkat” që nuk e merr asnjë përsipër që t’i dalë zot është “ viktimë“ dhe krijimtaria e shumtë dhe e larmishme e autorit Bilall Maliqit që e kemi në duar.
E kjo që ndodh qoftë për një mungesë të strategjisë kombëtare të Librit në kombin tonë apo dhe për një provincializëm që e ka mbërthyer këtë problem. Librat lexohen aty ku botohen pavarësisht se çfarë vlere kanë. Kur themi se duhet bërë një bashkim shpirtëror të kombit, kjo punë duhet nisur që tek shkronja e një libri.
Vetë poeti i këtij libri në një mënyrë pak të tërthortë e thotë me vargjet e tij këtë peng modern. Kudo ku shkon ai është një poet çajupian:
“Pahetueshëm mallëngjimi
Më dhuron lot sjellje
U lagën ndjenjat
Me mallin e çmalljen.
E shqip kuvendon
O shqip më flet
Edhe guri
Edhe loti
Për jastëkun
E Çajupit”
Poezia e Bilall Maliqit më ka vënë në një Grackë të bukur, në atë të njësimit të poeti me vendin ku ai ka lindur ku jeton ose ku punon. Përherë kam menduar se shumë Qytete njësohen me disa njerëz të veçantë që i bëjnë nder atyre në të kaluarën e në të ardhmen. Bilall Maliqi është padyshim fytyra poetike e Luginës së Preshevës, në ato troje që ende gëlojnë në sfidën e identitetit në kohët moderne. Kur shohim një libër që ka aromën e Luginës së Preshevës, patjetër që ndjesia është e madhe e natyrshme Pse jo dhe drithëruese dhe krenare Është një përkthim i poezisë së tij në gjuhën angleze dhe që i bën nder jo vetëm atij si poet, po dhe mbarë Luginës dhe kombit. Lexuesët e huaj, pse jo dhe shqiptarët që jetojnë në këtë vend të madh si SHBA të lexojnë poezinë e poetëve shqiptarë në këtë gjuhë që i shoqëron ata në vazhdimësine e jetës së tyre.
Vëllimi i tij ka një simbolikë të njohur. RRUGA, UDHËTIMI. Dhe titulli “ Rrugët e shikimit” i shkon për shtat kësaj poezie në këtë vëllim. Padyshim suksesi i librit ndahet dhe me Petër Tasen për atë që ka punuar me shumë dashuri në këtë libër. Nuk ka poet në botë që nuk bie në GRACKËN e emocioneve përjetimeve, drithërimave, që i jep atij rruga me njerëzit që ai takon, me viset që sheh, me natyrën me fabulat e këtij udhëtimi . Kam kohë që e ndjek nga afër poezinë e Bilallit dhe jetoj ngazëllimin e rritjes dhe të pjekurisë së saj. Ashtu si dhe e përgëzoj për ato maja që ai ka arritur qoftë dhe si organizator i shkëlqyer i aktiviteteve kulturore që bën në Luginë e më gjerë. Rrallë libra të viteve të fundit kanë një gjeografi poetike si ky i librit të Bilall Maliqit.
Në çdo vend që ka shkuar ai nuk ka qenë askurrë e asnjëherë indiferent. E ka parë botën si qytetari i saj, po më shumë dhe si shqiptar. Jo si një shqiptar i verbëruar nga këto drita, pse jo dhe monumente që i afron atij bota, po si një qytetar i një trualli po kaq të lashtë sa ata. Veç qyteteve shqiptare si Tirana, Durrësi, Mali i Robit, Lezha, në këtë libër janë dhe mbresat e marra nga rrugëtimi i tij në Vjenë të Austrisë, të Gjenevë, Zurih, Bernë të Zvicrës, në Mynih, në Paris, në Vojvodinë, në Hungari, Përtej këtyre emocioneve që ai na jep do të veçoja Kukësin, për të cilin ka disa poezi. Nga këto shkëpuita disa vargje:
“Kur hyra në Kukës
Njëmend u trimërova
Se jam tani i mbështetur
Në ty nënë e babë- Shqipëri…”
Bilalli ka një poezi tejet origjinale. Ajo del nga pena e tij, tashmë me përvojë në këtë lëmi si një poezi-sentencë . Në rrugë të largëta ku nxitimi është një nga shoqërueset e udhëtarëve, në stacionet e panumërta ditëve, netëve, në zhurmën e avionëve apo në dritat e semaforëve të këtyre rrugëve, poeti mediton fort me një Mulli që vetëm ai e di si si punon, se nga i vjen uji, se sa forcë ka dhe se ku do të dërgojë blojën e tij të punuar kaq mirë si ai usta që punon filigramin e qëndistarisë
Në këtë rrugëtim të gjatë dhe të begatë për Trastën e poetit ai ka një moto që e ka thënë shumë bukur në këto vargje”
“Nga cepi i kujtesës
Hov marrin lotët
Në mes ëndërr
Çelet peizazhi
I vendlindjes
Hapet
Porta e dëshirës
E malli për atdheun
Pikë në zenit shpirti”
Do ta vija një NOTË të lartë për një fjalor shumë të pasur që ai përdor në libër, madje me një korrektesë të admirueshme ai pas fjalëve leksikore të rralla të krahinës së tij që përdorë, bën dhe sqarimet e nevojshme edhe pse para ka dhe lexuesin shqiptar dhe lexuesin evropian dhe atë amerikan. Si për t’i qëndruar besnik këtij këndvështrimi poetik ai para disa vitesh ka botuar dhe një libër me titull “Aforizma“ që ka patur sukses në rrethet letrare dhe kulturore shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
Libri më i ri i Bilall Maliqit është një PORTË E RE E POEZISË SË TIJ , është një portë që premton për më shumë arritje në të ardhmen. Është testi më i saktë i një ballafaqimi që letërsia jonë duhet ta ketë më të dukshëm përballë botës që jo gjithmonë tregohet mirëdashëse me kulturën dhe me historinë tonë. Është një ballafaqim poetik si ky i këtij libri, është një identitet i ri i kombit, i kulturës së tij shkronjore.